Rruga “kthesa e Libohovës – kthesa e Suhës” është një segment rruge fushore me gjatësi rreth 3 km, pa vepra arti në të, si ura, dhe me trase të hapur ekzistuese. Kjo rrugë lidh me Libohovën dhe me rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavije në sërë fshatrash, si Labova e Kryqit, Suhë, Stegopul, Selckë, dhe gjithë fshatrat e krahinave të Zagorisë dhe Pogonit.
Në maj të vitit 2017, në kulm të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të atij viti, u njoftua nga Bashkia Libohove dhe nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, njëkohësisht edhe kandidate për deputete në zonën e Libohovës, se ky segment rrugor prej 3 kilometrash do të shtrohej e asfaltohej.
Në datë 29 maj 2017 u mbajt tenderi për rikonstruksionin e rrugës, me fond limit prej mëse 700 milion lekë të vjetra. 13 kompani u paraqitën në këtë tender me ofertat e tyre, por çuditërisht 12 prej tyre u skualifikuan nga Autoriteti Prokurues Bashkia Libohovë, dhe e vetmja e ngelur në garë, kompania MANE/S shpk u shpall fituese me ofertën e saj prej mëse 580 milion lekë të vjetra.
Pak ditë më vonë, ministrja dhe kandidatja për deputete Mirela Kumbaro, sëbashku me kryetaren e Bashkisë Libohovë Luiza Mandi inaguruan nisjen e punimeve me foto dhe deklarata të publikuara në rrjetet sociale.
Por, për çudinë e të gjithëve, nga 3 km rrugë që është gjatësia e këtij segmenti, u shtruan vetëm gjysma e tyre. 580 milion lekë të vjetra nuk mjaftuan të shtrohej një copë rrugë prej 3 km. Rikonstruksioni i gjysmës së mbetur të kësaj rruge ngeli një pikëpyetje.
Banorëve të këtyre fshatrave, pasi kalonin 5 minuta rrugë të asfaltuar, u duhej të vazhdonin në të njëjtin rrjet rrugor të amortizuar dhe të pa mirëmbajtur prej vitesh. Banorët rezident ankoheshin përditë për gjendjen e keqe të rrugës, ndërsa ata të larguar mendoheshin disa herë para se të merrnin rrugën për tu kthyer në vendlindje, pranë familjarëve të tyre.
Kaluan plot 6 vite dhe pak ditë më parë, në gjysmën e mbetur të këtij segmenti, një copë rruge prej 1.5 kilometrash, u shfaqën makinat e kamionat, të cilat po merren me sistemime. Në mesin e një tjetre fushate elektorale, këtë herë 6 vite më vonë, në fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale, deklaratën pompoze për shtrimin e pjesës së mbetur të rrugës e bën kandidati për kryetar bashkie i Partisë Socialiste, Leonard Hide.
Nuk dihet nëse këtë herë segmenti rrugor “kthesa e Libohovës – kthesa e Suhës” prej 3 km do të shtrohet i plotë, apo pjesa e ngelur prej 1.5 km do të ndahet përsëri në lote; loti 2, loti 3, loti 4 e kështu me rradhë. Për qytetarët nuk ka asnjë informacion, pasi Bashkia Libohovë nuk ka bërë publik as tenderin e zhvilluar, as vlerën që ka kushtuar kjo pjesë e ngelur e rrugës, as kompaninë që e ka fituar tenderin e që po zhvillon punimet, as kohën sa do të zgjasin punimet dhe as gjatësinë e rrugës që do të rikonstruktohet. Gjithçka është e fshehtë.
Sidoqoftë, u deshën plot 6 vite dhe 2 fushata të ndyshme zgjedhore që të shtroheshin 3 km rrugë fushore. Me këtë hap, qytetarët e bashkisë Libohovë do të duhet që të presin të pakten 100 vite që të shohin rrugën e tyre të shtruar.
Mondi
17 Prill, 2023 at 1:17 pm
Mire e kane, prisni edhe 100 vite se cu be