fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Poezi

Jepni për nënën – nga Fan S. Noli

Jepni për nënën

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
Mbretëreshë pa kurorë,
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë,
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot – se nesër është vonë.
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

– Fan S. Noli

____________________

Fan S. Noli (İbriktepe, 6 janar 1882 – USA, 13 mars 1965) ishte shkrimtar, mësues, diplomat, politikan, historian, orator, themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kryeministër i 13-të i Shqipërisë (1924), atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.

4 Komente

4 Comments

  1. Fjodora

    27 Janar, 2022 at 7:03 pm

    Noli eshte monumental ne vepren e tij

    • Dodona Qose

      31 Janar, 2022 at 4:14 am

      ,,,udhërrëfyesit tanë,,, nuk mbaj mend në shkollë të na e jepnin si referim këtë poezi, kishin të tjera “ëndra”, “gjenitë” e adventures sociale, që iu raftë data jarebi,,,
      RILINDASIT TANË,,, UDHËRRËFYESIT TANË,,,

      • Petro

        7 Shkurt, 2022 at 8:38 pm

        Tiranët dhe autokratët kanë frikë nga dituria, prandaj nuk na i jepnin ti mësonim në shkolla se kishin frikë mos na hapeshin sytë

  2. Nderim Lushi

    6 Shkurt, 2022 at 4:14 pm

    Noli mësoi fjalët e para në shqip në moshën 30 vjeçare, me profesion komedian, i bije që shumë mirë t’i ketë shkruar këto poezi me aq shqipe që dinte. NË atë kohë gjuha shqipe nuk shkruhej me gërma latine, shkruhej pak, ose aspak, po siç duket Noli ka lexuar Kaderën dhe ka ndjekur Top-Channel për të profeksionuar shqipen e tij. Së fundmi, qeveria shqiptare, për të sovatuar figurën qesharake që ka Noli në të vërtetë, i ka hapur komedianit dhe spiunit të Mbretëreshës një muze. Nuk është aspak çudi, që armiqtë e shqipërisë të ngrihen si heronj në një Shqipëri të pushtuar siç është sot, ndërsa miqtë dhe heronjtë e Shqipërisë, të fshihen nga historia për të mos dëgjuar kurrë për to.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme