fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Trashegimi

Kështjella e Libohovës, historia e një vepre monumentale që mbizotëronte luginën e Drinos – nga Bexhet Çobani

Kalaja e Libohovës është një fortesë imponente, e vendosur mbi një kodër shkëmbore mbi qendrën e qytetit të Libohovës. Njihet ndryshe edhe si Kalaja e Shanishasë, e cila ishte motra e Ali Pashë Tepelenës, për shkak se kjo kala ishte një dhuratë martese që Aliu i bëri motrës së tij Shanishasë, e cila u martua me Ali Pashë Libohovën.

Kështjella e Libohovës shërbente si rezidencë e familjes Libohova. Ajo ka plan drejtkëndor dhe mbrohet nga 3 kulla poligonale në tri nga këndet dhe nga një bastion në formë të çrregullt gjeometrike në këndin tjetër. Ka tre hyrje, dy prej tyre pozicionohen në anën veriore dhe tjetra në lindje.

Format e mprehta dhe kërcënuese të bastionit në pjesën më të dukshme të kështjellës, punimi i përsosur me gurë të latuar, kornizat dhe format trungkonike të theksuara të kullave, fshehin në të vërtetë dobësinë e mureve të holla të saj. Ideja e madhështisë dhe e pushtetit kanë mbizotëruar në ndërtimin e kësaj kështjelle.

Kalaja e Libohovës është një monument i trashëgimisë kulturore. Ajo ka një pozicion dominues që kontrollon rrethinat e qytetit, si dhe gjithë luginën e Drinos, malet dhe fushat që shtrihen në jug dhe perëndim të saj. Ky pozicionim përcakton rolin strategjik të kësaj kalaje, si për kontrollin e linjave të komunikimit, ashtu edhe për sigurimin e lëvizshmërisë së banoreve në rrugën që lidhte Janinën me Gjirokastrën.

Kalaja ka formë planimetrike drejtkëndore, me permasa 70 metra e gjatë dhe 50 metra e gjerë. Katër kullat shumëkëndëshe nëpër qoshet e saj dhe muri që rrethon një sipërfaqe të gjerë e bejnë atë një fortesë me përmasa të konsiderueshme. Territori mbi të cilin ajo ngrihet, ndahet nga disa përrenj në zona të veçanta shkëmbore, në të cilat burojnë ujërat të ftohta të burimeve të Zhepës, Lozës etj. Brenda fortesës janë të mbrojtura edhe sot rrënojat e sarajeve dhe një pjesë e muraturës së kështjellës, si edhe një pjesë e një strukture tjetër të banimit, të tilla si struktura të ndërthurura mbrojtëse, me një organizim të sofistikuar jetese.

Kalaja e Libohovës u ndërtua në vitet 1796 – 1798. Sipas gojëdhënave thuhet që guri i përdorur për ndërtimin e saj është nxjerrë dhe transportuar nga mali i Gjerë, i cili ndodhet në anën tjetër të luginës rreth 7-8 km larg, me njerëzit që janë vendosur në radhë, duke i kaluar gurët dorë me dorë njëri-tjetrit, nga mademet e Dropullit e deri në Libohovë.

Kjo kala është ndërtuar mbi rënojat e një fortifikimi më të vjetër, për të cilin nuk dihet saktësisht periudha e ndërtimit. Por egzistenca e disa varreve pagane vetëm pak metra larg kësaj kalaje, tregon se Libohova ka qenë zonë e banuar në shekullin e IV para erës së re.

Ekzistojnë ende foto (skica) të pallatit ku jetonte Shanishaja dhe familja Libohova. Sot kanë ngelur vetëm disa mure që kane qenë pjesë e këtij pallati madhështor. Nga gojëdhënat e më të moshuarve në Libohovë kam mësuar se qeresteja (lënda e drurit) e këtij pallati është marrë në vitin 1957 dhe është përdorur për ndërtimin e spitalit kurativ të Glinës.

Në librim me kujtime “Breznitë – Libohova”, të Ajet Bej Libohovës, njërit prej anëtarëve të familjes Libohova, autori shkruan:

“Selman beu u vendos në një shtëpi që kishin të bostani i Libohovës. Shtëpia ishte mesatare, por provizore. Më vonë u ndërtua në Libohovë, në lagjen ku në atë kohë jetonin të krishterët, një keshtjellë me plot kuptimin e fjalës. Në fillim u ndërtuan muret e rrethimit të oborit, me gurë të prerë, me katër kullat në katër qoshet, me tabje dhe frëngji.

Duke qenë se në Libohovë nuk kishte gurë të përshtatshëm për këtë punë, u prunë nga ana e malit përballë Libohovës, përtej fushës (mali i Gjerë). Transporti ishte i vështirë. Atëherë u krijua një varg i gjatë me njerëz nga fshatrat përreth, dhe këta, duke qenë rresht njëri pranë tjetrit, dorë më dorë transportonin gurët e kalasë.

Në anën që shikonte nga veriu u ndërtua saraji që mbulonte për së gjati gjithë oborrin, dhe kishte një kullë në mes, me katër dhoma kryesore (bash-oda). Ndërtesa kishte 60 dhoma. Kishte kudo ujë të rrjedhshëm, burgje e saranxha vërtet madhështore. Kullat ishin të mbrojtura me topa, me frëngji dhe me ulluk për tu derdhur vaj i nxehtë. Sallat e mesme (divanet) ishin në cdo kat 50 metra të gjatë. Tavanet ishin të punuar me daltë, të lyera me varak ari e me sedef, të gjitha me dru are. Ishte me të vërtet një model për arkitekturën Shqiptare të shekullit XVIII.

Jashtë keshtjellës, që përmbante pjesën e banesës (haremi), përmbi një tjetër oborr të rrethuar, gjendej selamlleku, që ishte një kopje e haremit, por pak më e vogël. Rreth këtij oborri të dytë ishin dhomat për rojet, stallat, magazinat dhe ndërtesa të tjera për shërbimet e sarajit. I kam arritur vetë, në kohën e gjyshit, Maliq Pashai, ku banonim në këtë pallat afro 2000 njerëz, pjestarë të familjes dhe shërbyes. Për mirëmbajtjen e këtij saraji, stërgjyshi im kishte bërë vakëf gjithë të ardhurat e pazarit të Libohovës, që ishte një pasuri e tyre, e që jepte afro 500 napolona në vit.

Por me Reformat e Tanzimatit filloi rënia e ekonomisë dhe një dekadencë. Dhomat e pallatit të Libohovës ishin shtruar me kadife të Venedikut (fabricia di Seta Fratelli Bartoli – Venezia) nga ajo më e vlefshmja. Gjyshja ime i zëvendesoi me basma moderne. Islam Bej Klisura dhe Adem Bej Asllan-Pashalli Libohova kishin arme dhe takëme prej argjendi. U thirr një argjendar nga Përmeti dhe u shkine e u shitën për argjend vepra të rralla të vlefshme.

Mjerisht, mbas vdekjes së Maliq Pashës, djemtë u shpërndanë. Riza Beu, djali i dytë, qëndroi në kështjellën familjare, por nuk u kujdesua as për mirëmbajtjen e sarajeve dhe as për atë të pazarit që siguronte të ardhurat e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre.

Me kalimin e kohës, me ndryshimin e mendimeve dhe kushteve, kështjella filloi të degradohej. Banorët prenë për tu ngrohur arrat shekullore që gjendeshin në kopsht, tavanet e gdhendura dhe qerestenë. Gjatë luftës ballkanike, djemtë e Riza Beut ikën dhe e lanë shtëpinë atërore nga frika prej grabitësve andartë grekë në vitet 1913-1915 dhe u vendosën në Tiranë dhe Fier ku kishin pronat. Koha, grabitjet e plaçkitjet e rrënuan dhe e sheshuan këtë vepër monumentale me vlera të papërsëritshme “.

Përgatiti: Ing. Bexhet Çobani

3 Komente

1 Koment

  1. Petro Meksi

    2 Janar, 2022 at 1:40 pm

    Shume interesant ky shkrim. Pergezime

  2. Pingback: Udhetimi i Lord Bajronit nëpër Shqipëri, 1809 | Libohova Post

  3. Pingback: Trashëgimia kulturore e Libohovës në rrezik - nga Adil Xhelili | Libohova Post

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme