fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Histori

Udhetimi i Lord Bajronit nëpër Shqipëri, 1809

Në letrën që Lord Bajroni i dërgon nënës më 12 Nëntor 1809, nga Preveza, ai përshkruan udhëtimin e tij nga Janina në Tepelenë, për tu takuar me “Pashain e Janinës”, Ali pashë Tepelenën.

Rruga e asaj periudhe kalonte nga Janina në Zicë, Delvinaq, Peshkëpi, Nepravishtë, Libohovë, vazhdonte nëpër Urën e Zonjës, e me tej në Qestorat, Erind, Dhoksat, Labovë e Zhapës, Hormovë, Lekël, Ura e Beçishtit dhe arrinte në Tepelenë. Udhëtimi zgjati 9 ditë me kuaj.

Gojëdhënat thonë se në Libohovë ka qëndruar një natë në sarajet e Shanishasë, motrës së Ali pashës, dhe për këtë ka shkruar se “Në Libohovë kam ngrënë gjellët më të shijshme se në tavernat e Spanjës dhe Portugalisë, dhe kam parë vashat me të bukura.”

Ndër të tjera, Bajroni në letrën e tij shkruan: “Veziri më priti në këmbë, – veçori e madhe nga ana e një myslimani – dhe më uli në krahun e tij të djathtë. Kisha marrë me vete një terxhuman për raste të veçanta, por këtë herë, një mjek i Aliut, i quajtur Femlario, i cili e kuptonte latinishten, përmbushi funksionin e duhur.

Kërkesa e parë e pashait ishte se përse unë kaq i ri, isha larguar nga vendi im. Shtoi pasandaj se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte thënë se unë vija nga një familje e madhe; dhe m’u lut të përcillja nderimet e tij për time më, dhe unë po ua paraqes ato në emër të Ali Pashait.

Më tha se ishte i bindur që unë isha njeri nga sërë e lartë, ngaqë i kisha veshët e vegjël, leshrat me bukle dhe duart të holla e të bardha; nuk e fshehu që sjellja dhe kostumi im i kishin pëlqyer. M’u lut ta konsideroja si një baba, për aq kohë sa do të isha në Shqipëri, duke më siguruar se më shihte si birin e tij. Në fakt, më trajtoi si një fëmijë, duke më dërguar njëzet herë në ditë bajame, sherbete, fruta dhe gliko.

Udhës kaluam afer dy qyteteve, Argjirokastrës dhe Libohovës, të cilat nga sa dukej, nuk qenë shumë më të vegjël se Janina dhe ska penë a penel që të mund ti bëjë drejtësi skenës piktoreske në afërsi të Zicës e të Delvinaqit.

Më datën 17 Tetor u nisëm për në Libohovë dhe arritëm më pas në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisëm më 19 tetor ne orën 3.30 mbasdite. Pas tri ditëve si mysafirë të Ali Pashës u kthyem po në ate udhë.

Shqiptarët, ose Albanezët, më ranë në sy më fort përmes shëmbëllimit që kanë me malësorët e Skocisë; në veshje, në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës. Dhe vetë malet e tyre me duken si të Kaledonisë, veçse me klimën më të butë.

Fustanella e tyre e bardhë, trupi i tyre i hollë dhe i gjatë, dialekti i tyre, keltik në tingullin e tij, zakonet e tyre të rrepta, të gjitha këto më shpunë në Morven.

Shqiptarët, me petkun e tyre, më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar, me anteri e jelekë kadife të kuqe, të qëndisura me fije ari, me jataganë e pisqollë të sermët, me feste të gjata.

Shqiptarët në përgjithësi kanë tipare të hijshëm. Gratë më të bukura që më kanë rënë në sy, në trup dhe në fytyrë, i pamë duke qëruar udhën e mbushur prej rrëkeve midis Delvinaqit dhe Libohovës.

Mënyra se si ecin Shqiptarët është vërtet teatrale; por ecja e tyre krenare ndoshta vjen nga bruca ose guna që mbajnë në një krah. Flokët e tyre të gjatë më kujtuan Spartanët dhe guximi i tyre në lugtë të shpejtë dhe të papritur s’mund të vihet në dyshim.”

Përgatiti Ing. Bexhet Çobani

2 Komente

1 Koment

  1. Fjodora

    26 Mars, 2022 at 6:07 pm

    Interesante te lexosh se si shiheshin Shqiperia dha shqiptaret nga te huajt ne ate periudhe

  2. Petro

    2 Prill, 2022 at 3:25 pm

    Shume interesante. Rugetimet e Bajronit i bejne edhe sot njerezit, vetem se i kane lexuar ne veprat e tij.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme