fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Aktualitet

Kombëtarja/ Veniten ëndërrat për kualifikim në kampionatin botëror Katar 2022

Ndeshja me Poloninë në Tiranë, në stadiumin Air Albania, ishe gati një ndeshje eliminatore; fituesi rrëmben vendin e dytë dhe mundësinë për të shkuar në Play Off për tu kualifikuar në botërorin e vitit që vjen, ndërsa humbësi do të shohë të veniten para syve të tij ëndërrat për kualifikim.

Kombëtarja shqiptare vinte në këtë ndeshje pas në rrugëtimi mbresëlënës në këto eliminatore; me një skuadër që ka një rritje të konsiderueshme në ndeshjet e fundit të zhvilluara prej saj; me një grup lojtarësh cilësor që po krijojnë një ekip të fortë dhe ndeshje pas ndeshje e rrisin besimin në aftësitë e tyre, me 15 pikë të grumbulluara gjatë këtyre eliminatoreve, të cilat na ngjisnin në vendin e dytë në grupin I, direkt pas Anglisë pretendente keyesore; me një trainier si Edi Reja, i cili dalë-ngadalë po e bën të tij këtë ekip dhe gjithë ambientin kuq e zi; me talentin Armando Broja, 20 vjeçari shkodran që i mahniti të gjithë me paraqitjet e tij në kombëtare ndeshjet e fundit, i cili me golat e tij vendimtar i dhuroi 6 pikë Shqipërisë në 2 ndeshjet me Hungarinë; dhe sigurisht kombëtarja shqiptare vinte në ndeshjen e 12 tetorit në Tiranë me mbështetjen e zjarrtë të tifozerisë kuq e zi, e cila u kishte munguar për mëse 1 vit e gjysëm për shkak të masave anti-Covid.

Gjithçka dukej “magjike”, ashtu sikuse ishte magjike atmosfera e krijuar nga tifozeria shqiptare në stadiumin Air Albania, para fillimit të ndeshjes dhe gjatë saj, duke ditur rëndesinë e kësaj përballje. Por Polakët vinin në Tiranë si favoritë, me yllin e tyre Robert Lewandowski dhe me vetbesimin e një skuadre që kualifikimet në kompeticionet madhore janë një praktikë normale, e jo një ëndërr e kthyer realitet, ashtu sikurse do të ishte për ekipin tonë kombëtar dhe për gjithë ne, mbështetësit kuq e zi.

Nuk ishte e thënë! Shqipëria luajti një lojë të mirë kundër Polonisë, arriti të neutralizonte sulmet e kundërshtarit për pjesën më të madhe të ndeshjes, bllokoi mirë sulmuesin e tyre kryesor Robert Lewandowski duke mos e lejuar të bëj atë që ai di të bëjë më mirë, të shënojë gol, dhe sigurisht krijoi raste për shënim. E gjithë kjo nuk mjaftoi. Atëherë kur ndeshja po shkonte ndrejt fundit me rezultatin 0-0, në minutën e 77, një kros nga e djatha dhe i sapo futuri në lojë Karol Swiderski do të çojnë në avantazh Poloninë 0-1. Presioni i rëndësisë së kësaj përballje dhe mungesa e eksperiencës krahasimisht me kundërshtarin, na ndëshkojnë atëherë kur ndeshja po shkonte drej përfundimit.

Le të jemi të qartë, asgjë nuk ka mbaruar! Matematika e pikëve që janë akoma në lojë i mban ende gjallë shpresat për kualifikim. Por nëse më parë ne ishim zot të fatit tonë, tashmë, pas kësaj humbje, do të duhet një mrekulli për të marrë një biletë për në botërorin e Katar 2022. Përveç se do të duhen dy fitore në ndeshjet e fundit eliminatore qe do të zhvillohen në Nëntor, njëra relativisht e thjeshtë me një skuadër si Andora, por tjetra tepër e vështirë me kryesuesit e grupit, Anglinë, do të duhet që edhe Polonia të humbasë pikë në ndeshjet e saj të rradhës, të cilat do ta shohim në përballje me Andorën dhe Hungarinë.

Le të shpresojmë se FIFA nuk do të japë një denim shumë të rëndë për kombëtaren tonë. Zhgënjimin e pësimit të golit disa tifozë kuq e zi e shprehën me zemërim dhe me hedhje të sendeve të forta në fushë, gjë që minutën e 77 çoi në pezullim të ndeshjes nga arbitri. Ndeshje që do të rifillonte disa minuta më vonë me masa të shtuara sigurie.

Sidoqoftë të shkojë deri në fund, me kualifikim ose jo, kjo skuadër dhe ky grup lojtarësh meritojnë mbështetje dhe përgëzime, për lojën e zhvilluar, për shpirtin e garës dhe për gjithçka të arritur deri më sot.

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme