Ku shtrohet vala
Ku shtrohet vala përmi zall,
E fryn një këng’ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
më pe me shpirt të llaftaruar.
Q’aherë silleshim me nge,
Gjith vet-i dytë, vet’e dytë…
Dh’i shtinja sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe m’i shtinje sytë…
Po me t’u ndarë vet e vet,
Më s’kishim turp që s’kishte fjalë…
Na ritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë.
E prapë silleshim me nge,
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.
Q’aherë qamë plot me mall,
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall,
E fryn një këng’ e pakuptuar.
Se kish kuptim që s’kish kuptim,
Kuptim’i fellë-i mallit tonë;
Se malli jon’ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë.
Se s’dashuronja as un’ as ti,
Po dashuronte dashuria:
Një dashuri – një fshehtësi,
M’e fshehur sesa fshehtësia.
– Lasgush Poradeci
_______________________
Lasgush Poradeci (Llazar Sotir Gusho) – (Pogradec, 27 dhjetor 1899 – Tiranë, 12 nëntor 1987) ishte poet, përkthyes dhe shkrimtar, pionier i Romanticizmit dhe Realizmit letrar shqiptar.