Rent, or Marathonomak
Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!
Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush’ e breg mi breg
Këmba tokën as t’a prek,
Hip’ e zbrit,
Petrit, Marathonomak!
Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon për-dhe;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari,
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!
T’u tha gryka, po s’të pihet,
T’u mpi këmba, po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!
Kurrë kaqë s’dogji dielli
Dhe si plumb s’rëndovi qielli,
Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj
Hij’ e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!
Vapa mbyt e pluhri nxin,
Ferra çjerr e guri grin,
Afsha gjoksin përvëlon,
Syrin avulli verbon;
Ur’ e prush,
Furr’, or Marathonomak!
Gryka si gjyryk të çfryn,
Prej Vullkani flag’ e tym,
Se ç’vëngon e se ç’gulçon,
Zëmra brinjët t’i çkallmon,
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!
Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s’janë veç Najada,
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!
Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia,
Që të pan’ e që të çquan
Dhe fuqinë t’a rishtuan
Hë dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!
Ja, arrive, ua the:
Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
“E fituam!”, brohorite
Dhe për tok’ u-përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!
Rent kudo, duke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!
– Fan S. Noli
________________________
Fan S. Noli (İbriktepe, 6 janar 1882 – USA, 13 mars 1965) ishte shkrimtar, mësues, diplomat, politikan, historian, orator, themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kryeministër i 13-të i Shqipërisë (1924), atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.