fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Poezi

Rent, or Marathonomak – nga Fan S. Noli

Rent, or Marathonomak

Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush’ e breg mi breg
Këmba tokën as t’a prek,
Hip’ e zbrit,
Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon për-dhe;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari,
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!

T’u tha gryka, po s’të pihet,
T’u mpi këmba, po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!

Kurrë kaqë s’dogji dielli
Dhe si plumb s’rëndovi qielli,
Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj
Hij’ e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!

Vapa mbyt e pluhri nxin,
Ferra çjerr e guri grin,
Afsha gjoksin përvëlon,
Syrin avulli verbon;
Ur’ e prush,
Furr’, or Marathonomak!

Gryka si gjyryk të çfryn,
Prej Vullkani flag’ e tym,
Se ç’vëngon e se ç’gulçon,
Zëmra brinjët t’i çkallmon,
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!

Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s’janë veç Najada,
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!

Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia,
Që të pan’ e që të çquan
Dhe fuqinë t’a rishtuan
Hë dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!

Ja, arrive, ua the:
Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
“E fituam!”, brohorite
Dhe për tok’ u-përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!

Rent kudo, duke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!

– Fan S. Noli

________________________

Fan S. Noli (İbriktepe, 6 janar 1882 – USA, 13 mars 1965) ishte shkrimtar, mësues, diplomat, politikan, historian, orator, themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kryeministër i 13-të i Shqipërisë (1924), atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Keshilla per blerjet tuaja
Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

Rrjeti i ri i ujësjellësit është një investim i shumëpritur prej banorëve të Libohovës. Rrjeti i vjetër 50 vjeçar ishte i degraduar dhe problematikat...

Aktualitet

Gara zgjedhore e 14 majit rezultoi të ishte një betejë e pabarabartë, në të cilën pushteti politik u përpoq me një sërë mënyrash që...

Aktualitet

Nevojat e qytetarëve për shërbime janë të shumta dhe të përditshme. Bashkia është institucioni që duhet të jetë afër qytetarëve dhe tu shërbejë atyre...

Aktualitet

Nga raporti “Qeverisja Vendore në Shqipëri”, hartuar nga Instituti i Bashkive të Shqipërisë, rezulton se Bashkia Libohovë në vitin 2022 e ka rritur totalin...

Personazh

Në një garë vrapimi të distancave të gjata, të zhvilluar në Spanjë në dhjetor 2012, keniani Abel Mutai ishte vetëm disa metra larg vijës...