fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Aktualitet

Si i gjen shqiptarët ky 28 Nëntor

28 Nëntori është ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët. Në dy raste përgjatë historisë tonë, më 1443 në Krujë dhe më 1912 në Vlorë, Gjergj Kastrioti dhe Ismail Qemali valëvitën flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare dhe sëbashku me shqiptarët e të gjitha trojeve do ti tregonin botës mbarë se ky kjo tokë ka zot, ashtu siç ka pasur dhe do të ketë përherë.

Shqiptarët nuk janë ndër kombet më të mëdhenj të Evropës, e për arsyje të shumta nuk janë as ndër më të fuqishmit politikisht dhe ekonomikisht, por pa kurrfarë dyshimi shqiptarët janë ndër popujt më liridashës të kontinentit dhe të botës mbarë, aq sa edhe vetë janë quajtur ilirë – njerëz të lirë.

Por si i gjen ky 28 Nëntor shqiptarët e të gjitha trojeve etnike dhe të diasporës? Sigurisht me disa aspekte pozitive, të cilat na japin më shumë fuqi vendimarrëse mbi fatet e të ardhmes tonë, por edhe me problematika të shumta që kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të peshuara mirë, me gjykim të drejtë dhe me atdhedashuri, për të mos lejuar që sakrificat dhe të drejtat e fituara me mund e gjak të shkojnë dëm.

Shqiptarët sot gëzojnë më shumë liri dhe të drejta mbi tokat e tyre stërgjyshore. Kosova gëzon të drejtën e vetvendosjes dhe është shteti më i ri në Evropë. Kjo pas shumë e shumë sakrificash njerëzore dhe pas shumë vitesh shtypje. Shqiptarët e Iliridës, të cilët sot janë pjesë e shtetit të Maqedonisë së Veriut, gëzojnë më shumë të drejta se disa vite më parë, dhe me gjithë problematikat e këtij rrugëtimi të vështirë, po përpiqen të bëhen një faktor i rëndësishëm, për të marrë në dorë fatet e tyre dhe të drejtat që u takojnë mbi trojet stërgjyshore. Shqiptarët e Malit të Zi arritën pas shumë e shumë përpjekjesh të bashkohen për tu bërë faktor vendimarrës, duke marrë për të parën herë drejtimin e komunës së Tuzit dhe duke pasur dy deputet shqiptarë në parlamentin malazez.

Por ka akoma shqiptarë që nuk i gëzojnë dot të drejtat e tyre mbi tokat e të parëve që u takojnë me të drejtë. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e të Bujanocit jetojnë akoma mes diskriminimit dhe shtypjes, sikurse shprehen ata vetë. Këta bashkombas kërkojnë më shumë mbështetje dhe ndihmë nga sivëllazërit e tyre në Shqipëri e Kosovë. Komunitete të tjera etnike shqiptare nëpër rajon po vazhdojnë të tkurren e pakësohen gjithnjë e më shumë si pasojë e politikave asimiluese të ndjekura nga shtetet ku banojnë. Pa një përpjekje reale në mbështetje të tyre nga dy shtetet shqiptare, Shqipëria e Kosova, këto komunitete janë të destinuara të humbasin përgjithmonë, e sëbashku me to edhe një pjesë e historisë tonë.

Nga ana tjetër janë shqiptarët e diasporës. Komunitetet e shqiptarëve nëpër botë janë shtuar ndjeshëm, aq sa po i afrohen në numër shqiptarëve që banojnë në trojet shqipfolëse. Këta bashkëkombas, edhe pse janë një nga faktorët më ndikues në zhvillimin dhe ekonominë e shqiptarëve në mëmëdhe, vazhdojnë të mbahen të mënjanuar nga vendimarrja në vendin e tyre. Në Shqipëri qytetarët që jetojnë jashtë kufijve nuk janë të përfaqësuar në vendimarrje sepse politika shqiptare ende nuk ka bërë të mundur votimin nga vendet ku ata jetojnë e punojnë. Shqiptarët e diasporës janë ndër kontribuesit më të mëdhenj në ekonominë shqiptare përmes remitancave dhe investimeve, por ata nuk mund të vendosin për fatet e atdheut të tyre.

Sidoqoftë, faktori më ndikues në jetët dhe në ardhmërinë e shqiptarëve është fenomeni i emigracionit. Vitet e fundit ky fenomen është shndërruar në një plagë të hapur të shoqërisë tonë, i ciki na rrezikon të tashmen dhe të ardhmen. Me qindra mijëra shqiptarë kanë emigruar në këtë fillim shekulli prej trojeve të tyre drejt vendeve të zhvilluara perëndimore. Arsyet janë komplekse, por kryesisht kanë të bëjnë me shkaqe ekonomike dhe të prespektivës.

Shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovë, të Maqedonisë së Veriut e të gjithë rajonit po e shohin gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një jete dinjitoze në vendet e tyre dhe për këtë arsye ata detyrohen të largohen drejt atyre vendeve ku këto mundësi janë një standart jetese.

Por çfarë u mungon shqiptarëve që të njëjtin standart jetese dhe të njëjtën prespektivë ta krijojnë në trojet e tyre stërgjyshore, në tokën e tyre, mes të dashurve dhe sivëllazërve të tyre? Sigurisht që s’u mungojnë as toka e arra, as uji, as dielli e as njerëzit e mençur e punëtorë. U mungon organizimi i mirë, politikat e duhura zhvilluese që krijojnë mirëqenie. E nëse toka, uji e dielli janë një bekim nga Zoti, e askush nuk mund të bëjë asgjë për ti ndryshuar, politika dhe organizimi bëhet nga vetë njerëzit. Pra është në dorën tonë që ne shqiptarët të përpiqemi të krijojmë një jetë më të mirë në trojet tona, pa qenë të detyruar lëmë pas gjithçka kemi e kemi trashëguar, e të emigrojmë për ta krijuar këtë jetë më të mirë diku tjetër.

Shqiptarët e kanë të provuar historikisht se nuk janë ikësa. Të parët tanë kanë punuar e luftuar për këto troje, për këtë gjuhë e për këto zakone. Momenti favorizues për ne shqiptarët në këtë fillim shekulli, i cili na ktheu pas diçka nga ato që na janë grabitur për shekuj me rradhë, është një periudhë që nuk do të zgjasë përgjithmonë. Koha ecën dhe faktorët që përcaktojnë situatat ndryshojnë. Duhet që me politikat e duhura të shfrytëzojmë momentin tonë të mirë për të fuqizuar pozitat tona, për të krijuar mirëqenie dhe prosperitet mbi tokat tona stërgjyshore.

Koha është tani! Motivi është nderimi i gjakut të të parëve dhe krijimi i mundësisë së një jete më të mirë për ne dhe fëmijët tanë në tokën e të parëve, në tokën tonë. Gëzuar Ditën e Flamurit!

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme