fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Poezi

Varfëria – Naim Frashëri

Varfëria 

Ju, të pasur, kur rrini
Rreth zjarrit me gëzime,
Qeshni, hani e pini,
Xbaviti me dëfrime,
Kërceni e këndoni
Dhe çeli e gëzoni,
Bëni gaxhi e loni
Edhe prëhi e ngrohi.

U vjen së largu afshi
Ndë sallonet të gjerë,
Shtruarë prej mëndafshi,
Mbushur me gjë të vlerë.
Nga ari, nga ergjëndi,
Nga floriri, nga drita
Llapëtin gjithë vëndi,
T’ faqet natënë dita.

Zonjatë bukuroshe
Veshur me rrobat’ e arta,
Vashatë vogëlushe,
Të bardha posi karta,
Djemthit’ e përkëdhelur,
Të larë e të ndruar,
Me zëmërë të çelur,
Me buzë të gëzuar.

Vinë rreth e kërcejnë
Dhe qeshin e këndojnë,
Lozinë e dëfrejnë,
Kohën me gas e shkojnë,
Dhe juve, duke parë
Me sy fatbardhësinë,
S’u vjen fare të qarë
Vallë për varfërinë?

E dini q’është jashtë
Një plak’ e dobëtuar,
E përgjynjur, e lashtë,
E mjer’, e dëshëruar,
E fishkur’ edh’ e thatë,
E thinjur’ e kërcure,
E urtë dit’ e natë,
Dergjetë nër qivure!

Një plak q’i vdiq fëmija,
Edhe mbet i helmuar,
Se iu shkretua shtëpija,
Mbet si kandil i shuar!
Një foshnj’ e varfëruar
Pa nënëz’ e pa atë,
E gjor’ e dobëtuar,
E ligurë e e thatë!

Gjithë këta të mjerë
Në të këqia rrojnë,
Vin’ e lipin më derë,
Një kafshitë kërkojnë!
E kur vjen të kërkojnë,
Brengën s’munt’ ta rrëfenjë,
Po zë dhe të këndonjë
E rreh të na dëfrenjë.

Sa ‘shtë turp për njerinë,
Kur shkojm’ e s’kthejmë synë!
S’dëgjojmë Perëndinë?
S’është vëllathi ynë?

Oh, epni ju që kini!
Kush i ndih varfërisë,
Ay q’ep, po e dini
Q’i huan Perëndisë.

T’apin, se vjen një ditë
Q’e lemë këtë jetë
Dhe gjën’ e bagëtitë,
Vemi në të vërtetë,
Përpara Perëndisë,
Që do të na gjykonjë;
Urat’ e varfërisë
Arrin të na shpëtonjë.

Ajo or’ e borinjtë,
Që ligjëron e bije,
Rreth t’i plakin të rinjtë,
Buzë varrit na shpije.

Epni t’u falë Zoti
Juve gjithë të mirat,
E të mos muntë moti
T’u sjellë të pahirat.

Mba unazat në dorë
Pa njëfarë nevojë!
Zonjë, shumë të gjorë
Vdesën për bukë ngoje!

Ep, t’apë Perëndija
Të gjitha mirësitë,
Të të kenë fëmija
Shëndet e jet’ e ditë.

Zot i math’, i vërtetë,
E gjithë ju të mirët,
Mos e lini përjetë
Njerinë n’errësirët!

– Naim Frashëri

______________________

Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900) ishte shkrimtar, poet, historian, gazetar, përkthyes, atdhetar dhe një prej përfaqësuesve më të shquar të Rilindjes Kombëtare, i pagëzuar si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”.

2 Komente

1 Koment

  1. Fjodora

    29 Prill, 2022 at 12:52 pm

    … i mrekullueshem Naimi

  2. Petro

    2 Maj, 2022 at 2:50 pm

    E more Naim, si ty i duhen nja 2-3 veta Shqiperise, vetem ashtu mund te behet ky vend

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme