fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Letersi

Luli i vocërr – nga Millosh Gjergj Nikolla

Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë herët ke fillue me shikue punën tande!

Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës.

Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna.

Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. – Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Ndoshta, ndoshta…

Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.

– Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni)

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Keshilla per blerjet tuaja
Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

Rrjeti i ri i ujësjellësit është një investim i shumëpritur prej banorëve të Libohovës. Rrjeti i vjetër 50 vjeçar ishte i degraduar dhe problematikat...

Aktualitet

Gara zgjedhore e 14 majit rezultoi të ishte një betejë e pabarabartë, në të cilën pushteti politik u përpoq me një sërë mënyrash që...

Aktualitet

Nevojat e qytetarëve për shërbime janë të shumta dhe të përditshme. Bashkia është institucioni që duhet të jetë afër qytetarëve dhe tu shërbejë atyre...

Aktualitet

Nga raporti “Qeverisja Vendore në Shqipëri”, hartuar nga Instituti i Bashkive të Shqipërisë, rezulton se Bashkia Libohovë në vitin 2022 e ka rritur totalin...

Personazh

Në një garë vrapimi të distancave të gjata, të zhvilluar në Spanjë në dhjetor 2012, keniani Abel Mutai ishte vetëm disa metra larg vijës...